Deputetët e AAK-së kërkojnë nga Qeveria të mos hiqet taksa ndaj Serbisë

0

Grupi Parlamentar i AAK-së sot ka zhvilluar një mbledhje, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Deputetët e partisë së kryeministrit Haradinaj, kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që t’i sqarojnë partnerëve ndërkombëtarë, që pezullimi i taksës sipas tyre, do të kishte pasoja të mëdha.

Sipas Grupit Parlamentar të AAK-së, Kosova nuk duhet të pranojë asnjë kusht nga Serbia për fillimin e dialogut, transmeton Telegrafi.

”Ne jemi të përcaktuar për dialog, por kërkojmë më ngulm që Qeveria, Kryeministri dhe Ekipi Negociator të mos pranojnë kurrfarë kushtesh për fillimin e dialogut me Serbinë. Në rast se vendosen kushte për fillimin e këtij dialogu, Kosova i ka 1001 arsye që të vendos kushte për fillimin e tij”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Sipas deputetëve të partisë në pushtet, taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, nuk duhet të hiqet përderisa të mos ndalet agresioni serb ndaj Kosovës.

Në njoftim thuhet se marrëveshja përfundimtare, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Grupi Parlamentar i AAK-së konsideron se taksa e vendosur në produktet serbe nuk mund të hiqet deri sa Serbia të mos heqë dorë nga agresioni politik, ekonomik e diplomatik ndaj Kosovës, dhe derisa të mos arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë”, përfundon komunikata.

Ditëve të fundit kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar pezullim të taksës për 120 ditë, kërkesë e cila nuk po pranohet nga kryeministri Haradinaj. 

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakS’ka rivotim në Prishtinë, Kushtetuesja vendos në favor të Shpend Ahmetit
Artikulli tjetërSëmundja e Parkinsonit: Simptoma në sy që shërben si shenjë paralajmëruese